Prokuroria nis hetimet për rrethanat e vdekjes së dy fëmijëve në Prishtinë
Prishtinë, 29 qershor - Gërmimet të cilat u bënë shkaktare për humbjen e jetës së dy fëmijëve të familjes Mramori, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, nuk dihet ende se prej cilave kompani janë kryer.
Zyrtarë nga Komuna e Prishtinës thonë se vetëm Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor lëshon leje për gërmime, kurse ministria mohon të ketë pasur njohuri për këtë rast dhe as mundësinë e lëshimit të lejes, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkaq, dy kompanitë që janë përmendur nga pronari i tokës se kanë punuar në atë hapësirë dhe kanë gërmuar, e kanë mohuar një gjë të tillë.
Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar për Kohën Ditore se janë duke e hetuar rastin për tragjedinë e ndodhur gjashtë ditë më parë.
Duke qenë se lejet për gërmime merren vetëm në MMPH, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, ka thënë sesi institucion nuk ndiejnë përgjegjësi për gërmimet në Kolovicë.
Siç ka thënë ai, në komunë mund të merren leje vetëm për ndërtim, por jo edhe për gërmim.
/Koha Ditore/