Prokuroria ngrit akuzë, kundër një zyrtari korrektues
Pejë, 20 dhjetor - Prokuroria Komunale në Pejë ka ngritur propozim akuzë, kundër Fatmir Kahrimani, zyrtar korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Pejë.
Prokuroria pas hetimeve intensive paraprake dhe nëpërmjet masave të fshehta teknike me prova të siguruara ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Fatmir Kahrimani ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autorizimit nga neni 339 par 1 i KPK-së.
I pandehuri Kahrimani nga data 10.07.2012 e gjer më 24.07.2012 në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, si person zyrtar e në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, shpërdoron pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.01-1614 e dt. 01.12.2009 dhe urdhëresave të brendshme ka pajisur katër të burgosur me telefona celular, sim kartela dhe dy armë të ftohta të mprehta metalike, të punuara nga zhileta bic dhe brisku i thonjve, të cilat pas bastisjes nga ana e zyrtarëve mbikëqyrës, janë gjetur tek të burgosurit në fjalë.
Prokuroria Komunale në Pejë i ka propozuar Gjykatës Komunale në Pejë që përveç dënimit kryesor të pandehurit ti shqiptoj edhe dënimin plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, kofnrom nenit 54 par. 1 e 2 nënpar. 3 të KPK-së.