Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj Pal Lekaj për keqpërdorim te pozitës zyrtare
Prishtinë, 14 shkurt - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë, kundër tre (3) të pandehurve për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafit 2.4 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari i parë, ish - Kryetar i Komunës së bashku me ish-Drejtorin për Buxhet dhe Financa dhe me ish-menaxherin e Prokurimit, po të njëjtës komunë gjatë muajit mars të vitit 2012, në bashkëkryerje duke kontribuar esencialisht në raport me njëri tjetrin, duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre më qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, që ti shkaktojnë dëm Komunës dhe banorëve të saj.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, njëri nga tre të akuzuarit është ish-Kryetar i Komunës, e një ish-Drejtor për Buxhet dhe Financa dhe ish-Menaxher i Prokurimit, ndërkaq të akuzuarit janë: P.L., Q.M. dhe N.Ll.
Të akuzuarit me këto veprime kanë kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur më paragrafin 2 nën paragrafit 2.4 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit, për veprën penale që akuzohen, ti shpallë fajtor dhe ti gjykojë sipas ligjit.