Prokuroria ngrit aktakuzë kundër Rifat dhe Faton Sylejmani
Prishtinë, 23 janar - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve Rifat Sylejmani dhe Faton Sylejmani, për veprën penale Shmangia nga tatimi, nga neni 249 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri Rifat Sylejmani, me qëllim që ti shmanget pjesërisht pagimit të tatimit, duke mos i deklaruar shitjet në periudhën kohore 2008-2012, për firmën e tij Nota Brillant Sh.p.k. në Gjilan, nuk ka paguar tatimin shtesë sipas Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në shumën prej 47.777,50 euro, tatimin në të ardhura të korporatave sipas Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, në shumën prej 6.304,52 euro, si dhe nuk ka paguar TVSH-në nga të ardhurat e qirasë për objektin afaristë ku ka qenë e vendosur Raiffeisen Bank në Gjilan, sipas të cilit ligj është dashur që të deklarojë këtë tatim, për periudhën kohore 12.07.2006 deri më 09.07.2009, në shumën prej 22.457,24 euro, me çrast e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 76.539,26 euro.
Me këtë i pandehuri Rifat Sylejmani ka kryer veprën penale Shmangia nga tatimi, nga neni 249 par.2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, i pandehuri Faton Sylejmani me qëllim që ti shmanget pjesërisht pagimit të tatimit, duke mos i deklaruar shitjet në periudhën kohore 2011-2012, për firmën e tij Nota Center Sh.p.k. në Gjilan, nuk ka paguar tatim në të ardhura të korporatave sipas Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, me çrast e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 2.061,01 euro.
Me këtë i pandehuri Faton Sylejmani ka kryer veprën penale shmangia nga tatimi nga neni 249 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, të shpallen fajtor dhe të gjykohet sipas ligjit.