Prokuroria në 2010, ka arritë të procedojë 8.2 % më shumë lëndë
Prishtinë, 29 qershor - Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, kanë zhvilluar debatin në komunën e Prishtinës, në kuadër të fushatës Prokuroritë më afër qytetarit. Pjesëmarrës në këtë debat kanë qenë përfaqësues të shoqërisë civile, mediat dhe qytetarë të këtyre komunave.
Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, duke i falënderuar të pranishmit tha se Lëvizja FOL në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit sot, po zhvillojnë debatin e shtatë në shtatë qendrat kryesore të Kosovës në kuadër të fushatës Prokuroritë më afër qytetarit, përmes së cilës të dyja palët synojnë të rrisin informacionin për rolin dhe punën e prokurorive, për të diskutuar rreth sfidave, pengesave dhe planeve për të ardhmen, të nxisin qytetarët të bashkëpunojnë me prokuroritë, si dhe për të diskutuar rreth percepcionit të krijuar për prokurorin në Kosovë.
Kryeprokurori i shtetit Kabashi tha se Prokuroria është shumë e interesuar që të jetë një institucion plotësisht transparent karshi qytetarëve, shoqërisë civile dhe medieve dhe për këtë falënderojë Lëvizjen FOL për angazhimin e saj në realizimin e kësaj fushate. Kabashi tha se sistemi prokurorial në Kosovës është duke u përballur me një problem sa i takon perceptimit publik ndaj prokurorisë, ku kjo e fundit në shumicën e rasteve perceptohet se përfaqëson sistemin gjyqësor, mirëpo duhet kuptuar dhe të bëhet dallimi se prokuroria është sistem i pavarur dhe është palë në procedurë.
Sipas tij në vitin 2010 janë krijuar kushte shumë të favorshme që prokuroria të jetë një institucion më efikas, baza materiale e prokurorëve është përmirësuar dukshëm dhe procesi i emërimit dhe ri-emërimit të prokurorëve ka siguruar prokurorë më kredibilitet profesional dhe integritet të lartë moral dhe etik.
Ai shtoi se prokuroria gjatë vitit 2010, ka arritur të procedojë 8.2% më shumë lëndë se sa në vitin paraprakë si dhe në këtë vit ka pasur shumë, më shumë raste të lajmërimit të vet qytetarëve në prokurori. Prokuroria do ti kushtojë vëmendje të veçantë lëndëve që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar, ku sipas kryeprokurorit Kabashi në kuadër të Prokurorisë Speciale është krijuar task-forca për luftën anti-korrupsion dhe se e në të gjitha prokurorit e qarkut është caktuar nga një prokuror i cili merret me hetimin e këtyre rasteve.
Debati ka vazhduar me Zëvendës Kryeprokuroren e Prokurorisë Speciale, znj. Sevdije Morina, e cila prezantoi historikun e funksionimit të kësaj prokurorie, ku tha se kjo prokurori është themeluar në vitin 2006, ndërsa në vitin 2008 është miratuar ligji për Prokurorinë Speciale.
Ajo tha se kjo prokurori vëmendje të veçantë është duke i kushtuar trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsion, ku për këtë arsye në vitin e kaluar është themeluar edhe task-forca.
Kjo prokurori sipas znj. Morina është e përbërë nga katër sektor, sektori kundër terrorizmit, i krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave, ku për secilin sektor janë të profilizuar prokurorë të posaçëm. Znj. Morina përfundoi fjalimin e saj duke thënë serastet në prokurorinë speciale janë shumë të komplikuara dhe për këtë arsye procesi i hetimeve mund të shkoi deri në 24 muaj. Nga viti 2006, kjo prokurori ka trajtuar 250 lëndë hetimore, ku nga këto lëndë 67 kanë qenë vetëm për krime të luftës.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, z. Aleksandër Lumezi, tha se kjo prokurori është shumë e ngarkuar sa i përket numrit të lëndëve dhe territorit që e mbulon. Kjo prokurori sipas tij përfshinë rreth 45% e territorit të Republikës së Kosovës, me rreth një milion banorë dhe përfshinë shumicën e institucioneve qendrore dhe publike të Kosovës.
Pa marrë parasysh këtë fakt, kjo prokurori ka qenë prokuroria më e suksesshme dhe më efikase ku vetëm një prokuror ka proceduar me mbi 180 lëndë brenda vitit 2010, tha z. Lumezi. Organi i akuzës sipas tij është duke bërë përpjekje maksimale që jetë një institucion llogaridhënës dhe transparent.
Debati ka vazhduar me z. Haki Gecaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Komunale në Prishtinë i cili tha se kjo prokurori ka 16 prokurorë, ku 2 nga ta janë deleguar në Prokurorinë e Qarkut dhe tani jemi në procesin e profilizimit të prokurorëve në bazë të natyrave hetimore. Prokuroria komunale sipas z. Gecaj, është prokuroria më e ngarkuar ku vetëm për vitin 2010 janë pranuar mbi 3400 lëndë për të rritur, mbi 165 lëndë për të mitur, rreth 1716 lëndë të ndryshme dhe 3943 kallëzime penale kundër personave të panjohur. Ai tha se prioritet i kësaj prokurorie ka qenë hetimi mbi keqpërdorimet e komisionerëve gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar, ku vetëm për këtë janë trajtuar rreth 64 lëndë dhe hetimet janë duke u zhvilluar dhe për raste të tjera.
Pas kësaj, diskutimi u hap për pjesëmarrësit dhe kishte pyetje-përgjigje, në mes të pjesëmarrësve dhe panelisteve të ftuar në këtë debat.