Prokuroria kërkon rigjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte
Prishtinë, 4 nëntor - Nëse Gjykata e Apelit aprovon ankesën e Prokurorisë, Fatmir Limaj do të dalë për herë të tretë para drejtësisë si i akuzuar për krime lufte në rastin Kleçka.
Prokuroria e Apelit ka kërkuar të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë që Limajn dhe nëntë të tjerë i kishte shpallur të pafajshëm, ose që ta kthejë lëndën për rigjykim dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen, shkruan sot Koha Ditore.
Ankesa e Prokurorisë do të shqyrtohet më 1 dhe 2 dhjetor. Gjykata e Apelit ka caktuar vetëm dy seanca muajin tjetër.
Limaj akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy serbëve.
Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari X. Zogaj e ka ngarkuar deputetin Limaj me barrë të rëndë të krimeve të luftës.
Pak para nisjes së gjykimit, Zogaj është gjetur i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar nga EULEX-i si dëshmitar i mbrojtur.
Pos dëshmive ka lënë edhe një ditar që bashkë me deklaratat e dhëna në fazën e hetimeve janë shpallur si prova të pranueshme nga Gjykata Supreme e Kosovës.
/Koha Ditore/