Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj O.C. e B.B.
Prizren, 8 qershor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuze ndaj dy personave, O.C. dhe B.B., dhe personit juridik biznes me seli në fshatin Landovicë, Komuna Prizren.
Aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit se të akuzuarit O.C. dhe B.B., prej vitit 2010, e në vazhdim, si persona përgjegjës për sigurim dhe shëndetin në vendin e punës, në biznesin me seli në fshatin Landovicë, Komuna Prizren, nga pakujdesia, nuk veprojnë në pajtim me dispozitat dhe rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikojnë jetën e njerëzve, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme argjilën dhe lëndë të tjera minerale, nuk zbatojnë kriteret e parapara për shfrytëzimin e argjilave, me ç rast gropat e krijuara në dyshemenë e fushës së shfrytëzimit ishin mbushur me ujë dhe si pasojë e kësaj më 16.06.2015, në këtë gropë me ujë mbyten dy fëmijë njëri 11 vjeç dhe tjetri 9 vjeç.
Me këto veprime secili veç e veç kanë kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës nga neni 367, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.
Ndërsa i akuzuari O.C., si person përgjegjës i biznesit akuzohet edhe për veprën penale ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.
Po ashtu edhe biznesi si person juridik akuzohet për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe sigurimi i sigurisë në vendin e punës nga neni 367, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 2 dhe me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Kosovës.