Prokuroria e Kantonit të Solothurnit hap hetimet kundër Azem Sylës
Bernë, 20 mars - Autoritetet zvicerane po i zgjerojnë hetimet kundër Azem Sylës. Njëkohësisht po shtohet edhe presioni kundër tij për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur sistemet sociale të Zvicrës, duke zhvatur në mënyrë të paligjshme 426 mijë franga.
Zëvendësprokurorja e kantonit të Solothurnit, ku zyrtarisht banon Azem Syla, ka njoftuar për mediet zvicerane mbi zhvillimet e fundit: Prokuroria e shtetit në Solothurn ka nisur hetimet për shkak të mashtrimit, ka thënë Sabine Husi.
Këtë procedurë fillimisht e kishte iniciuar sigurimi social i Solothurnit, duke e paditur Sylën në fillim të marsit, pasi mediumet zvicerane kishin njoftuar se deputeti i PDK-së me vite të tëra kishte marrë para nga sigurimi invalidor.
Zëvendësprokurorja Husi ka thënë se shuma e parave të zhvatura në mënyrë të paligjshme arrin në mbi 400 mijë franga. Husi nuk ka mundur të ofronte detaje se sa do të zgjasin hetimet kundër Sylës.
Sipas ligjeve zvicerane, kush gjendet fajtor për mashtrim mund të dënohet deri në 5 vjet burg ose me gjobë. Syla akuzohet se për 9 vjet ka marrë pension invalidor. Pagesat u ndërprenë në shkurt 2011 dhe njëkohësisht u kërkua prej tij ti kthejë paratë e zhvatura.
Me Sylën është marrë edhe Gjykata administrative e Solothurnit. Në shkurt ajo njoftoi se ka miratuar vendimin e Entit të Migracionit për dëbimin e Azem Sylës nga Zvicra. Ai duhet ta braktisë Zvicrën deri nga mesi i majit 2012.
Syla përmes avokatit të tij është kërcënuar se do të ankohet në Gjykatën Supreme të Lausanne. Por avokati i tij Christian Affentranger deklaroi për gazetën Solothurner Zeitung se ende nuk është e sigurt nëse Syla do të ankohet.
Affentranger tha se për herë të fundit ishte takuar muajin e kaluar me Sylën dhe i kishte kërkuar që të gjitha dokumentet e nevojshme për ankesë ti dorëzojë deri më 16 mars. Afati i fundit për ankesë është 23 marsi.
Avokati pranoi se Syla deri më tani nuk është paraqitur fare. Nëse Syla nuk dorëzon ankesë në Gjykatën Supreme të Zvicrës, atëherë vendimi për dëbimin e tij nga Zvicra bëhet i plotfuqishëm.
Ndërkohë gazeta Sonntags Zeitung njoftoi se europarlamentarja Ulrike Lunacek i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ti bëjë thirrje Sylës që të dorëhiqet nga Parlamenti i Kosovës.