Prokuroria e Ferizajt ngrit aktakuzë për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit
Ferizaj, 28 Qershor - Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaça, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.