Prokurori Wendorf i ndikuar nga faktorë vendës
Prishtinë, 25 prill - Prokurori Heikki Wendorf dyshohet se është shtyrë nga njerëz me ndikim që të shkruante letër kundër kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Këtë dyshim e kanë edhe në EULEX, si dhe diplomatët e huaj në Prishtinë.
Megjithatë, po kërkohet një hetim për të zbuluar se kush në fakt qëndron prapa këtij prokurori, i cili i ka shkruar një letër presidentes duke kërkuar mosdekretimin e Lumezit për kryeprokuror.
Ai është nxitur nga faktorë vendës për të shkruar këtë letër, kanë thënë zyrtarë të huaj në kushte anonimiteti. Ky është skandali i fundit që ka përfshirë misionin e BE-së për sundim të ligjit.
Ndryshe, prokurori Wendorf i ka kërkuar falje kryeprokurorit Lumezi, duke thënë se akuzat të cilat i kishte adresuar kundër tij, në letrën kundër tij, i kishte dëgjuar nga thashetheme të rrugës.
Pavarësisht kësaj, shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, ka ftuar Qeverinë dhe popullin e Kosovës që ti bashkohen misionit që ai drejton në luftën kundër krimit e korrupsionit, ani pse e ka pranuar se misioni nuk i ka arritur objektivat në luftën kundër korrupsionit. Madje, gati sa nuk e ka cilësuar mision të dështuar, shkruan sot Koha Ditore.
/Koha Ditore/