Prokurori i padekretuar ngriti 375 aktakuza
Prishtinë, 15 maj - Shqipdon Fazliu luste të enjten Rrahim Podvoricën që të lëshonte një urdhëresë për hetime financiare në një rast të krimeve ekonomike.
Prokuror, na duhet gjithqysh kjo urdhëresë, i ka thënë koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, prokurorit Rrahim Podvorica.
Por kjo urdhëresë e tij ka gjasa të rrëzohet si e paligjshme në rast se dikush ankohet në Gjykatë. Podvorica nuk është i dekretuar formalisht nga presidentja si prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ani se dy vjet më parë është dashur të kryhej dekretimi, shkruan Koha Ditore.
Podvorica është emëruar për herë të parë prokuror në Prokurorinë Speciale në vitin 2010 me mandat të përkohshëm trevjeçar. Tre vjet më vonë ai është transferuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Këshilli Prokurorial ia ka dhënë mandatin e përhershëm atij, por akti formal i dekretimit nga presidentja nuk është bërë asnjëherë.
Megjithëkëtë, ai ka vazhduar të kryejë punën e prokurorit duke ngritur aktakuza e duke dhënë urdhra për arrestime të të pandehurve. Vetëm muajin e kaluar Podvorica ka kryer 51 raste penale, shumicën prej të cilave duke ngritur aktakuza. Mbi 300 raste ka pasur vetëm sivjet. Gjithsej ai ka ngritur 375 aktakuza.
Kam shkuar në zyrën e Ehat Miftarit në Këshillin Prokurorial dhe kam kërkuar që të dërgohet emri im për dekretim. Unë jam qe dy vjet me këtë status, ka thënë Podvorica për Kohën Ditore.
/Koha Ditore/