22 Dhjetor 2024

Projekt mbi menaxhimin e konfliktit në Kosovë

SHBA, 8 prill - Kosova, në shumë nivele, është ndoshta një nga situatat më komplekse në fushën e menaxhimit të konfliktit. Kjo ishte arsyeja që shtyu një grup studentësh nga Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare e njohur si SAIS, në Universitetin Xhons Hopkins në Shtetet e Bashkuara, ta studionin konfliktin dhe periudhën pas tij në Kosovë. Qëllimi ishte identifikimi i problemeve në shtetin e ri dhe ofrimi i rekomandimeve në fusha të ndryshme. Rezultatet e projektit u prezantuan gjatë një konference në Uashington.

Një grup studentësh nga universiteti Xhons Hopkins këtu në Uashington DC ishte në Kosovë për një javë në janar të këtij viti, ku mblodhën të dhëna rreth situatës së paskonfliktit në shtetin e ri. Ata patën rastin të takoheshin me politikanë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe me shumë njerëz të tjerë, për të parë se ku gjendet Kosova tani, qoftë në fushën politike, ekonomike apo në integrimin e pakicave.

Menaxhimi i konfliktit në Kosovë ishte subjekti i projektit të studentëve pasuniveristarë të Universitetit Xhons Hopkins. Po çfarë i shtyu këto studentë të zgjidhnin Kosovën si objekt studimi në këtë fushë?

“Arsyeja pse zgjodhëm Kosovën është sepse rasti i saj përbën një konflikt në shumë nivele. Është një nga konfliktet më të vështira për t’u kuptuar tani, sepse atje nuk ka luftë apo dhunë, e megjithatë konflikti ende nuk është zgjidhur plotësisht në fushat politike, sociale dhe etnike.”

Olga Murcia Mursia është një nga studentet që mori pjesë në projekt. Fokusi i studimit të saj ishte Korrupsioni dhe Zhvillimi në Kosovë. Olga thotë se përparësitë duhet të jenë administrata politike dhe marrëdhëniet mes komunitetit ndërkombëtar dhe qeverisë së Kosovës.

“Për sa i përket administratës politike, sfida më e madhe do të jetë zhdukja e korrupsionit, meqenëse ai është ende i përhapur dhe njerëzit mendojnë se ky fenomen është pengesa më e madhe për zhvillimin e vendit. Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, sfida më e madhe do të jetë trasferimi i përgjegjësive, pa destabilizuar vendin.”

Lora Lombard, një tjetër pjesëmarrëse në projektin për Kosovën thotë se përparësia e Kosovës duhet të jetë ekonomia.

“Personalisht mendoj se ekonomia është sektori ku duhet përqendruar vëmendja, për arsye se ekonomia është një nga mënyrat më të mira për të zgjidhur shumë prej tensioneve ndër-etnike dhe përparimin e vendit në fushën politike.”

Ndryshimi më i madh që sheh Lora mes të rinjve në Shtetet e Bashkuara dhe Kosovë varet pikërisht tek ekonomia:

“Shumica e njerëzve në moshën time janë të papunë, dhe ata përbëjnë pjesën më të madhe të 40 përqindëshit të papunësisë që ekziston në Kosovë.”

Lora thotë se, po të kishte në dorë të ndikonte politikën e SHBA ndaj Kosovës, ekonomia do të ishte fusha ku ajo do të përqendrohej.

Mari Tanaka nga kryeqyteti Tokjo i Japonisë, e mbështet mendimin e koleges së saj:

“Mendoj se ndihma ekonomike duhet të jetë politika kryesore për Kosovën.”

Në pjesën e saj të projektit, Mari ka bërë një krahasim të perspektivave të Kosovës dhe integrimit ndëretnik. Ajo thotë se realiteti në Kosovë ishte më i ndryshëm seç priste.

“M’u duk se kishte më shumë tensione ndër-etnike seç prisja në Kosovë. Megjithatë, thotë ajo, organizatat joqeveritare kishin një pikëpamje optimiste për sa u përket marrëdhënieve ndëretnike.”

Kathrin Karson, e cila prezantoi përmbledhjen e kapitullit mbi etnicitetin, tha se një ndër rekomandimet ishte se duhet bërë më tepër për shmangien e politizimit të integrimit.

“Qeveria duhet të përpiqet të krijojë një dialog ndëretnik kombëtar për të bërë të mundur gjetjen e së vërtetës, pajtimin e dy perspektivave të ndryshme historike të dy grupeve.”

Studentja Heather Rehm bëri një përmbledhje të konstatimeve dhe rekomandimeve të kapitullit të politikës; Xhejms Litëllton mbuloi kapitullin e infrastrukturës, ekonomisë dhe medias; ndërsa Xhoshua Sharf rolin e aktorëve ndërkombëtarë në ndërtimin e shtetit në Kosovë, çështjen e vetëvendosjes dhe njohjen e pjesshme të shtetit të ri. Për statusin e Kosovës Mari thotë:

“Unë e mbështes pavarësinë e Kosovës, ashtu siç ka bërë edhe vendi im.”

Projekti i Universiteti Xhons Hopkins për menaxhimin e konfliktit në Kosovë u drejtua nga profesorët Terens Hopman dhe Uilliam Zartman.

/Zeri i Amerikes/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)