Prishtinë, burri vret gruan
Prishtinë, 18 maj - Sot në orët e paradites në rrugën Xheladin Kurbaliu në Prishtinë, një person ka vrarë me armë zjarri gruan e tij 27 vjeçare D.Kastrati. Pas një mosmarrëveshjeve mes tyre, burri me armë ka qëlluar për vdekje gruan e tij.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në orën 10:40, me çrast policia ka marrë informacionin se në rrugën Xheladin Kurbaliu në Prishtinë ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes.
Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëj me vrasje dhe se viktimë është D. Kastrati, femër, 27 vjeç, shtetase Kosovare, e cila duke mos mundur tu përballoj plagëve të marra nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë . Edhe pse policia nuk bënë të ditur lidhjet familjare mes viktimës dhe të dyshuarit, mësohet se vrasësi është burri i viktimës.
Në kontinuitet të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarit të mundshëm, si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Si rezultat i kësaj, pak çaste më vonë policia ka arritur të identifikoj të dyshuarin A. Jashari mashkull, 29 vjeç, shtetas Kosovar, i cili tani për tani gjendet në arrati.
Në ndërkohë që policia ka identifikuar të dyshuarin, ka kryer edhe një operacion bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit por i njëjti nuk është gjetur aty.
Mbështetur në rezultatet e para të punës policore hetuesit rajonal kanë ngritur verzionin e hetimit se ngjarja është paraprirë nga disa mosmarrëveshje në vazhdimësi në mes të të dyshuarit dhe viktimës dhe përfundimisht rezultuar me vrasjen.
Përderisa policia po vazhdon kërkimin e të dyshuarit në të njëjtën kohë është duke punuar edhe për sqarimin e relacionit - raporteve në mes të viktimës dhe të dyshuarit.