14 Maj 2024

Prezenca e drogave ilegale, shqetësim për gjithë shoqërinë

Prishtinë, 26 qershor - Me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare kundër drogave më 26 qershor, Ministria e Punëve të Brendshme, mbajti një konferencë për media, ku u prezantuan rezultatet dhe masat që janë marrë në luftimin e kësaj dukurie.


Në këtë konferencë morën pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Sasa Rasic, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Edona Dobroshi Deva nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit dhe zyrtarë të tjerë.


Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, theksoi se prezenca e substancave narkotike dhe drogave ilegale është një shqetësim për gjithë shoqërinë e Kosovës, andaj edhe përgjigjja ndaj kësaj dukurie kërkon një koordinim dhe mobilizim të shumë mekanizmave shtetëror.

Këtu dëshiroj të falënderoj zëvendësministrin, Sasa Rasic dhe grupin punues për punën e deritanishme, me ç’rast është përmbyllur implementimi i Strategjisë së parë Kundër Drogave dhe është finalizuar drafti i fundit i Strategjisë së dytë dhe Planit të Veprimit Kundër Drogave.

“Rezultatet e arritura në luftën kundër Drogave, si në reduktimin e ofertës por gjithashtu edhe në reduktimin e kërkesës janë të dukshme. Unë ju premtoj se do të sigurojmë edhe përkrahjen e Qeverisë për implementimin e aktiviteteve të parapara në Strategjinë e re dhe arritjen e objektivave tona”, tha ministri Rexhepi.

Ministri Rexhepi vuri në dukje se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar të bashkëpunojë me të gjitha mekanizmat rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në luftën kundër drogave.

Të gjitha kërkesat që dalin nga Udhërrëfyesi i Liberalizimit të Vizave, përkatësisht pjesa e ndërlidhur me Droga, do të përfshihen në Strategjinë finale kundër Drogave.

“Ne do të themelojmë edhe Observatorin Nacional të Drogave, që do të ndërlidhet direkt me Qendrën Evropiane për Droga dhe Varshmëri nga Droga me seli në Lisbonë. Gjithashtu edhe bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informatave me EUROPOL-in do të rritet, sepse vetëm përmes një partneriteti të drejtpërdrejt mund të kemi suksese të prekshme”, theksoi Rexhepi.

Në fund të fjalës së tij, ministri Rexhepi tha se Kosova gjendet në mes të Ballkanit dhe është pjesë transiti e kanaleve të trafikimit. Mirëpo viteve të fundit vërehet një rritje e përdorimit të drogave nga ana e popullatës lokale. Në këtë segment asnjë shtet nuk është imun, andaj edhe kërkohet një bashkëpunim me i thellë i shteteve për të pasur një përgjigje më efektive.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, theksoi se është kënaqësi që t’u drejtohem në ditën ndërkombëtare kundër drogave, të luftimit të kësaj dukurie, në një panel të tillë që tregon qasjen serioze të Qeverisë së Kosovës, ndaj një të keqe të madhe që sot e kërcënon botën në përgjithësi, dhe natyrisht shtetin tonë të ri.

Ai tha se vendi ynë me strukturën  domogafike, paraqet një vend me shkallë të lartë të rrezikshmërisë për përhapjen e përdorimit të drogave, duke pasur parasysh moshën e re të popullatës dhe vështirësitë ekonomike dhe shkallën e lartë të migracionit të qytetarëve.

“Ministria e Shëndetësisë ka qenë e ballafaquar më këtë dukuri që nga vitet e para të themelimit të saj dhe është përpjekur të ofrojë përpjekje gjithëpërfshirëse ndaj problemeve tejet komplekse që i imponon përdorimi i drogave nga qytetarët.\"

\"Kemi bërë institucionalizimin programit të parë zëvendësues të ashtuquajturin, “programin e metadonit”, pra zëvendësimit të përdorimit të drogave të rënda, me një substancë kimike e cila e lehtëson procesin e trajtimit të rinjve dhe e zvogëlon dukshëm shkallën e kriminalitetit”, theksoi ministri Agani.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni bëri të ditur të arriturat dhe sfidat e Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit me narkotik.

Ai tha se Policia e Kosovës i ka dhënë një rëndësi të veçantë lutës së kësaj dukurie, duke ngritur kapacitet e saja.

Drejtori Maxhuni prezantoi në formë tabelare të dhënat e hollësishme në parandalimin e kësaj dukurie, duke filluar nga vendet e origjinës nga e cila vjen droga, vendet nga hynë në territorin e Kosovës, statistikat e konfiskimeve dhe organgramin e zgjerimit të Drejtorisë për Hetimet e Trafikimeve me Substanca Narkotike në Policinë e Kosovës, etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)