Preteni: Gjykatat nuk dërguan kurrë askënd në burg për korrupsion
Prishtinë, 2 prill - Drejtori i Agjencisë kundër korrupsionit, Hasan Preteni ka paralajmëruar se ky vit do të jetë vit i mbushur me emra ministrash që do të hetohen, ndryshe nga viti i kaluar kur nuk pati asnjë.
Në një intervistë për Kohën Ditore, Preteni ka thënë se në mesin e 13 rasteve të mëdha, që Agjencia i ka dërguar në prokurori gjatë vitit që shkoi, ka edhe zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, por jo edhe nga Presidenca dhe Kuvendi.
Preteni nuk ka bërë publikë emrat, as për ata që u hetuan në të kaluarën nga Agjencia, e as për ata që janë në procedurë të hetimeve.
Preteni sqaron publikisht se përse kritikon gjykatat për mospunë sa herë që flet për korrupsion.
Sipas tij, ato nuk dërguan kurrë askënd në burg për korrupsion, duke përjashtuar ish-drejtoreshën e PTK-së, Leme Xhema e cila nuk po mund të burgoset, shkruan kjo gazetë.
Preteni rikujton se për vitin 2011 janë 121 emra të veçantë që janë dërguar në prokurori, ndonëse i kemi trajtuar 160 informacione, nga të cilat në 39 raste kemi gjetur raste me prova të mjaftueshme, dhe në ato 39 raste janë të përfshirë 121 persona.