21 Dhjetor 2024

Presidentja Osmani priti drejtorët në largim dhe në ardhje të Ekipit të NATO-s

Prishtinë, 22 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës dhe Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me drejtorin në largim të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe drejtorin e ardhshëm të NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani diskutoi një varg temash me të dy gjeneralë brigadash, duke u fokusuar në rëndësinë e maksimizimit të të gjitha përpjekjeve për zhvillimin, trajnimin dhe dërgimin e misioneve jashtë vendit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s, e me qëllim përfundimtar anëtarësimin në këtë organizatë.

Ky objektiv mbetet prioritet kryesor strategjik i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për Kosovën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Presidentja shfrytëzoi rastin për të shprehur vlerësimin e saj për mbështetjen e rëndësishme, si dhe asistencën zhvillimore të ofruar nga NALT-i, në kuadër të misionit dhe mandatit të vet. Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e dhënë nga ekipi i NALT-it ka qenë e rëndësishme për ta ndihmuar Kosovën të arrijë përparim të dukshëm drejt synimit të saj për anëtarësim në NATO.

Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të rëndësishëm në përmbushjen e misionit të NALT-it në Kosovë, Presidentja Osmani e dekoroi drejtorin në largim të NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe me Medaljen Presidenciale Ushtarake, për mbështetjen e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve, edukimin dhe aftësimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet e NATO-s.

Ky nderim pasqyron vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për përpjekjet e jashtëzakonshme të gjeneral brigade Joachim Hoppe dhe ekipeve të NALT-it.

Duke shprehur mirënjohje për gjeneral brigade në largim Joachim Hoppe, Presidentja Osmani shprehu gjithashtu përkushtimin e saj për të punuar ngushtë me drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein për ta forcuar bashkëpunimin në të ardhmen.

Presidentja Osmani ka potencuar se është e përkushtuar që të punojë ngushtë me NATO-n dhe të gjithë partnerët e saj për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Republikës dhe rrjedhimisht të rajonit, duke theksuar se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj prioritetit të saj strategjik - integrimit e plotë në institucionet euroatlantike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)