Presidentja Jahjaga vizitoi FSK-në dhe kampet e KFOR-it
Prishtinë, 29 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, ka zhvilluar sot disa vizita trupave të KFOR-it në qytete të ndryshme të Kosovës.
Fillimisht, Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Buhler, të shoqëruar edhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, kanë vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj, ku trupat e KFOR-it janë të angazhuar për trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së.
Presidentja tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale. Ajo tha Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së po luan një rol shumë të rëndësishëm që FSK të ketë një kapacitet të plotë dhe të jetë e përgatitur profesionalisht.
Presidentja Jahjaga tha se në përgatitjen e trupave të FSK-së një rol shumë të rëndësishëm është duke luajtur KFOR-i, me angazhimin e vet në trajnimin e trupave të FSK-së.
Ajo theksoi se i gjithë ky angazhim ka për qëllim përgatitjen dhe ngritjen profesionale të FSK-së, që ajo të jetë pjesë e partneritetit për paqe dhe pjesë aktive e NATO-s në të ardhmen. Ky është synimi dhe qëllimi ynë për FSK-në, tha ajo.
E shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, Presidentja Jahjaga vizitoi edhe Kampin fushor të KFOR-it në Prizren, ku ajo u njoh me punën dhe aktivitetet e ushtarëve të KFOR-it në këtë kamp.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga falënderoi ushtarët e KFOR-it në për gjithë kontributin që kanë dhënë për sigurinë në vend dhe për shumë aktivitete në të mirë të komunitetit dhe komunës së Prizrenit në përgjithësi.
Presidentja Jahjaga gjithashtu ka vizituar edhe Kampin Italian të KFOR-it, në Pejë. Edhe këtu ajo është njoftuar me aktivitetet e ushtarëve të KFOR-it, si dhe ka nderuar ushtarët e rënë në detyrë, gjatë shërbimit të KFOR-it në Kosovë, që nga viti 1999.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler e ka falënderuar Presidenten Jahjaga që ka gjetur kohë për të vizituar ushtarët e KFOR-it dhe për tu njoftuar me punën e tyre.