Presidentja Jahjaga kërkoi rritjen e sigurisë se përgjithshme në Kosovë
Prishtinë, 26 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka takuar Kryeministrin e Kosovës, zotëri Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtorin e Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, zotëri Bashkim Smakaj, për të vlerësuar gjendjen e sigurisë në vend pas arrestimit të një të dyshuari me sasi të mëdha eksplozivi në kryeqytet.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Presidentja Jahjaga kërkoi nga mekanizmat e sigurisë që të ngritin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloi te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident.
Njëkohësisht, Presidentja Jahjaga, duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij komploti të dyshuar terrorist, u bëri thirrje shteteve të rajonit që të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e akterëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet.