Presidenti Sejdiu dekretoi faljen e 62 të dënuarve
Prishtinë, 17 shkurt - Në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka dekretuar faljen e dënimit të mbetur apo zvogëlimin e dënimit me burg për 62 persona.
Duke u bazuar në Nenin 84, pika 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në Nenin 5 të Ligjit për Faljen, në Nenin 97 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe në Dekretin DF-001-2009 për Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar, Presidenti nxori dekret për faljen e dënimit të mbetur apo zvogëlimin e dënimit me burg për 62 persona që janë duke vuajtur dënimet në burgjet e Republikës së Kosovës në bazë të aktgjykimeve të formës së prerë.
Në marrjen e këtij dekreti, Presidenti i Republikës ka pasur parasysh dispozitat kushtetuese dhe të Ligjit për Faljen, Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Dekretin DF-001-2009 për Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar, si dhe të dhënat e rekomanduara nga Drejtoritë e Burgjeve të Republikës së Kosovës dhe mendimin e Komisionit Profesional Ad Hoc të themeluar nga Presidenti i Republikës.
Dekreti për falje i Presidentit të Republikës së Kosovës hyn në fuqi më 17 shkurt 2010.