Presidenti i Shqipërisë dekoron forcat e FSK-së të Kosovës
Tiranë, 8 korrik - Presidenti Bamir Topi ka dekoruar sot me Medaljen e Artë të Shqiponjës disa nga forcat e sigurisë së Kosovës për kontributin që kanë dhënë për përmbytjet e ndodhura në fillim të këtij viti në Shkodër.
Në orët e mesditës së sotme, në ambientet e Presidencës është zhvilluar ceremonia e dekorimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Me këtë rast, presidenti e konsideroi këtë një moment tepër të veçantë, ndërsa ka vlerësuar punën e tyre për përballimin e situatës së vështirë natyrore.
Edhe pse kjo situatë duket sikur është larg, të gjithë e kemi në memorie atë. Ky është një moment, kur solidariteti njerëzor, angazhimi dhe profesionalizimi juaj bënë që të gjithë të ndjehen krenar për ndihmën e menjëhershme që erdhi nga Kosova, posaçërisht nga FSK, u shpreh presidenti.
Gjithashtu presidenti Topi shprehu optimizmin e tij se shumë shpejt forcat e FSK-së së Kosovës, do të jenë pjesë e NATO.