Pranojnë se ishin nisur për në ISIS
Por ky udhëtim, që kishte për qëllim bashkëngjitjen në organizatën terroriste ISIS, është ndërprerë nga Policia turke, e cila iu kishte rënë në gjurmë tre kosovarëve se e kanë ndarë mendjen ti bashkohen grupeve të ISIS-it në Siri e Irak.
Tre kosovarët kishin udhëtuar nëpërmjet Aeroportit të Shkupit në drejtim të Stambollit, ku edhe janë arrestuar nga Policia turke, e cila më pas i ka kthyer në Maqedoni.
Me të hyrë në territorin e Kosovës në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit, Tahir Isufi, 29-vjeçar nga rrethina e Mitrovicës, Ismajl Zeneli, 21-vjeçar nga Sllatina e Vushtrrisë, dhe Nora Zuzaku, 20-vjeçare nga Gjilani, janë arrestuar të dielën nga Policia e Kosovës.
Ndërsa të martën ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, shkruan Zëri.
Para gjyqtarit që e ka caktuar masën e paraburgimit, Ismajl Zeneli e ka pranuar veprën penale, ndërsa ka thënë se ishte nisur me qëllim që ti bashkohej grupit ISIS në Siri.
Një pranim të njëjtë të veprës penale të Pjesëmarrjes në grupe terroriste e ka bërë edhe Nora Zuzaku, derisa Tahir Isufi e ka zbatuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.
Ndonëse Isufi është mbrojtur në heshtje, siç mëson gazeta, Ismajl Zeneli pos para gjykatës ka dhënë deklaratë edhe para hetuesve policorë, ndërsa ka treguar se nga familja e tij nuk e kishte marrë asnjë të hollë, por udhëtimin drejt Stambollit ia kishte paguar Tahir Isufi.
Ky i fundit, sipas Ismajl Zenelit, e ka organizuar shkuarjen drejt Sirisë dhe madje ia kishte dhënë Zenelit edhe 200 euro që ti gjendeshin gjatë rrugës. Shkuarjen për në Siri Isufi e kishte organizuar edhe për Nora Zuzakun, e cila jozyrtarisht thuhet të jetë e dashura e Ismajl Zenelit.
/Zëri/