Pranimi apo mospranimi selektiv i dëshmorëve të Kombit kujt i duhet kjo?
Prishtinë, 17 mars Ligji Nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimat Civile dhe Familjeve të tyre përkatësisht neni 8, paragrafi 2 i këtij Ligji thotë se: këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha të ndryshme historike.
Në ndërkohë Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit të të gjitha periudhave ( Naim Zhitia kryetar, Behram Krasniqi anëtar, Skënder Berisha anëtar, Vlora Humolli anëtare, Rashit Ymeri anëtar dhe Tafil Latifi anëtar ) i është drejtuar Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë me një deklaratë me të cilën pohojnë se, së paku 135 familjeve anëtarë e të cilave janë shpallur Dëshmorë të Kombit u mohohet e drejta ti realizojnë të gjitha të drejtat që ua mundëson Ligji Nr. 04/L-054. Deklaratës dhënë KMDLNj së i është bashkangjitur edhe lista e dëshmorëve për të cilët thonë se mund ti mungojë ndonjë emër sikur që në këtë listë nuk janë përfshirë edhe emrat e shqiptarëve të vrarë, gjatë shërbimit në Armatën jugosllave.
KMDLNj, pas shqyrtimit të kërkesës së Komisionit dhe në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-054 kërkon që të gjitha kategoritë përfituese e që shprehimisht Ligji i njeh si të tillë, duhet ti realizojnë të drejtat e tyre dhe të mos diskriminohen siç është vepruar deri më tani. Emrat që janë në listen e Dëshmorëve të Kombit janë emra që nuk mund të kontestohen nga askush sepse dihet koha dhe rrethanat e vrasjes së tyre nga forcat policore apo ushtarake serbe dhe jugosllave. Për një numër të madh të kësaj liste KMDLNj ka të dhëna për mbytjen e tyre nën torturë nga policia dhe ushtria serbe dhe jugosllave, vrasjen e tyre apo edhe në rast se ata kanë rënë dëshmorë në përballje të armatosura me forcat policore dhe ushtarake të policisë dhe ushtrisë serbe dhe jugosllave.
KMDLNj kërkon që ndaj kësaj kategorie që kanë kontribuar për të drejtat njerëzore, kombëtare dhe politike të shqiptarëve duke e dhënë jetën e tyre të mos vazhdojë diskriminimi por ata të trajtohen sipas ligjit.
KMDLNj mbështet fuqishëm angazhimin që po e bënë Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve për njohjen e plotë të statusit nga ana e shtetit për Dëshmorët e Kombit me të gjitha të drejtat që u takojnë.
Lista e Dëshmorëve të Kombit nuk mund të kontestohet sepse ata me jetën e tyre e kanë përligjur statusin që tash, padrejtësisht u mohohet.
KMDLNj kërkon nga institucionet e Kosovës zbatimin e menjëhershëm të Ligjit Nr. 04/L-054 pa bërë dallime dhe në përputhje me dispozitat.