Policit që vrau qytetarin i konfiskohen një armë Glock dhe dy revole Bereta
Gjilan, 29 dhjetor - Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se hetuesit e IPK-së kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar në vendin e ngjarjes.
Bazuar në hetimet preliminare, dyshohet se personi i dyshuar V.H pjesëtar i Policisë së Kosovës nga Njësiti për mbrojtje të afërt, pas një mosmarrëveshje lidhur me një aksident ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Si pjesë e procedurës hetimore IPK ka konfiskuar një armë GLOCK 9x19 që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast dhe një karikator.
Në veturën e zyrtarit policor të dyshuar janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy revole të llojit Bereta.
Hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me njësitin rajonal të hetimeve kanë zbatuar edhe një urdhëresë për bastisje në fshatin Malishevë të Gjilanit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.