Policia zbatoi ligjin për zhvillimet e sotme në Kuvend
Prishtinë, 17 nëntor - Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, lidhur me mbajtjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e nevojshme policore, duke ndërmarrë masat e nevojshme ligjore për ofrimin e sigurisë dhe ushtrimin e kontrollit, bazuar në procedurat e parapara ligjore dhe rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë së lartë, lidhur me vizitën e mbretit të Jordanisë dhe delegacionit mbretëror, që realizohet sot në Republikën e Kosovës.
Me qëllim që kjo vizitë të realizohet sipas planifikimeve operacionale policore, duke filluar nga ora 08:00 deri 14:00, sheshi \"Ibrahim Rugova\" në Prishtinë është mbyllur për qarkullim, si dhe ka pasur ndërprerje të përkohshme të disa akseve rrugore përgjatë kohës së kalimit të eskortës së mbretit të Jordanisë.
Për hir të informimit të opinionit publik lidhur me seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, referuar vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore dhe me kërkesë të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, brenda në sallën e kuvendit për ofrim të sigurisë në formë kordoni janë vendosur zyrtarët policor të sigurimit.
Zbatimi i ligjit dhe vendimit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës i mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtja e qetë e të gjitha zhvillimeve është prioritet i Policisë së Kosovës.
Në momentin e përgatitjes së fillimit të seancës, disa deputet kanë filluar të pengojnë mbarëvajtjen e seancës duke u ofruar afër kordonit të zyrtarëve policor, ku njëri prej tyre ka hedhur mjet të dyshuar (sprej) drejt kordonit policor dhe personaliteteve të cilët kanë qenë të ulur prapa kordonit policor.
Zyrtaret policor janë detyruar të reagojnë për ta larguar nga afërsia e kordonit deputetin e njohur për policinë si dhe për ta parandaluar hedhjen e mjetit të dyshuar-sprej.
Në ndërkohë brenda në sallën e Kuvendit të RKS-së, nga një deputet është hedhur një mjet i dyshuar, i cili dyshohet se është gaz lotsjellës, e po ashtu edhe një mjet i dyshuar si gaz lotsjellës dhe sprej drejt zyrtarëve policor është hedhur në korridoret e Kuvendit, pas daljes së deputetëve nga salla e Kuvendit.
Si pasojë e hedhjes së mjetit të dyshuar, gazit lotsjellës dhe sprejit në korridorin e Kuvendit nga vet deputetët, një deputete ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe të njëjtës i është dhënë ndihma mjekësore nga Shërbimet Shëndetësore të Policisë së Kosovës.
Ndërsa, sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-së, ku janë hedhur mjetet e dyshuara, Policia e Kosovës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjeteve të dyshuara.
Gjatë kohës së zhvillimeve brenda në Kuvendin e Kosovës, një grup prej rreth (150) protestuesish janë mbledhur në lokacione të ndryshme për rreth objektit të Kuvendit të RKS-se, të cilët fillimisht kanë qenë duke protestuar të qetë, mirëpo më pastaj të njëjtit kanë filluar të shprehin dhunë të tepruar drejt zyrtarëve policor duke hedhur mjete të ndryshme si ngjyrë, gurë masiv e mjete të tjera të rrezikshme të cilat mund të konsiderohen edhe mjete vdekjeprurëse.
Edhe përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga ana e Policisë, që protestuesit të jenë të qetë, të njëjtit nuk janë ndaluar dhe kanë vazhduar me hedhjen e mjeteve të rrezikshme, dhe vlerësuar situatën e krijuar zyrtarët policor janë detyruar të veprojnë duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore për shpërndarjen e protestuesve.
Protestuesit e dhunshëm kanë vazhduar me protestimin e tyre në lokacione të ndryshme dhe gjatë gjithë kohës kanë gjuajtur zyrtarët policor, automjetet policore me mjete të rrezikshme duke përfshirë edhe koktej molotovi.
Si pasojë e hedhjes së mjeteve të rrezikshme drejt zyrtarëve policor, në bazë të informacioneve të deritanishme janë lënduar gjashtë (6) zyrtar policor, prej tyre (2) kanë pësuar lëndime të rënda, njëri në kokë nga hedhja e mjeteve të forta dhe që të dy janë duke u trajtuar në QKUK.
Në bazë të informacioneve të deritanishme, një protestues po ashtu ka pësuar lëndime dhe të njëjtit i është ofruar ndihma mjekësore.
Njësitet policore gjatë veprimeve të tyre deri tani kanë arrestuar dy (2) protestues të dhunshëm të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore. Vlen të potencohet se tek dy personat e dyshuar janë gjetur boca të koktej molotovi.
Nga protestuesit e dhunshëm janë dëmtuar edhe disa automjete policore, ku njëra nga to është dëmtuar nga hedhja e mjetit të dyshuar si koktej molotovi.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private si dhe krijimit të lirisë së lëvizjes së lire për të gjithë qytetarët.