Policia sqaron ndalimin e biçiklistëve
Prishtinë, 31 gusht - Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës ka sqaruar përmes një komunikate ndalimin e tre biçiklistëve nga ana e policisë malazeze.
Në komunikatë thuhet se ngjarja ka ndodhur në qershor të këtij viti, si dhe biçiklistët janë ndaluar në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që e ndan Kosovën me Malin e Zi.
Rasti ka ndodhur me datë 13.06.2015, kur këta tre (3) biçiklistë janë ndaluar nga Policia e Malit të Zi, në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që ndanë Republikën e Kosovës me Malin e Zi, pra brenda territorit të Malit të Zi, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, biçiklistët nuk kanë shtruar kërkesë paraprakisht as në Policinë e Kosovës dhe as në atë të Malit të Zi për kalimin e kufirit jashtë pikave zyrtare për kalimin e kufirit, prandaj edhe kanë bërë kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia e Kosovës ka bërë apel që kalimi i kufirit për çfarëdo arsye të realizohet nëpër pikat zyrtare për kalim të kufirit dhe duke respektuar procedurat ligjore që kërkohen.