10 Qershor 2025

Policia realizon dy operacione kundër terrorizmit

Prishtinë, 16 mars - Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, në kuadër të Policisë së Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe në bashkëpunim me njësitë dhe agjencionet tjera relevante, dje dhe sot ka ndërmarrë dy operacione të ndara për zbatimin e urdhër kontrolleve të lëshuara nga gjykatat kompetente.

Dje në rajonin e Prizrenit, Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të dyshuarit P. D., nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në ‘financim apo lehtësim të terrorizmit’, sanksionuar sipas Ligjit nr. 03/L 196, neni 36B, ‘financim i terrorizmit’.

I dyshuari P. D. së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist, përkatësisht në konflikt jashtë vendit, vepër e ngelur në tentativë, pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në tentativë që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit.

Ndaj të dyshuarit janë duke vazhduar hetimet edhe për mundësinë e përfshirjes së tij në raste tjera.

Ndërsa sot Drejtoria Kundër Terrorizmit pas hetimeve të gjata lidhur me një rast të mëhershëm, në bashkëpunim me njësitë tjera policore dhe e mbështetur edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka ndërmarrë një operacion për zbatimin e urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të personit F. R. në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.

Ndaj të dyshuarit F. R. që nga viti 2014 janë duke u zhvilluar hetime penale, nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka qenë në kontakt me persona dhe grupe të caktuara të personave nga Kosova, të cilët janë marrë me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

I dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit. 

Shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik janë arrestuar për vepra penale nga kapitulli i XIV i KPK-së, përkatësisht veprave penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit.
 
 Në këtë kontroll janë konfiskuar dokumentacione dhe pajisje elektronike të cilat konsiderohen prova që ndërlidhen me vepra penale.

Duke marrë parasysh këto që u cekën më lart, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale në vijim: rekrutim për terrorizëm, nga neni 139 të KPK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nga neni 143, paragrafi 2 të KPK-së lehtësimi në kryerjen e terrorizmit, nga neni 138 të KPK-së dhe Ligji Nr. 04 L/-178 – Ligji mbi parandalimin e financimit të terrorizmit

Personi i dyshuar është shoqëruar në Polici për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)