Policia përgatitet për procesin e zgjedhjeve
Prishtinë, 15 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, me të cilin bisedoi për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend, të caktuara për tu mbajtur me 8 qershor.
Presidentja Jahjaga dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, zotëri Shpend Maxhuni, theks të veçantë vunë në çështjen e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe garantimin e votës së lirë.
Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend duhet të jenë të lira dhe të ndershme si dhe gjithëpërfshirëse dhe theksoi domosdoshmërinë e angazhimit të plotë të të gjithë mekanizmave të sigurisë në Kosovë për të garantuar një proces të qetë dhe të mirë zgjedhor.
Drejtori i përgjithshëm, zotëri Shpend Maxhuni, e njoftoi presidenten Jahjaga për të gjitha përgatitjet që po i bën Policia e Kosovës për procesin e zgjedhjeve dhe bashkërendimin me të gjitha institucionet e tjera të sigurisë dhe ato për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.