Policia parandalon një sulm terrorist në Prishtinë
Prishtinë, 26 dhjetor - Policia e Kosovës arrestoi natën e së enjtes një shtetas të Serbisë, sepse në makinën e tij ai kishte mbi 12 kilogram material shpërthyes.
Arrestimi i shtetasit të Serbisë dhe kapja e materialit shpërthyes u bë në lagjën Arbëria në Prishtinë, në bazë të një informacioni paraprak, që kishin autoritetet e rendit.
Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha se shoferi i arrestuar serb ka pasur qëllime të qarta të kryerjes së një sulmi terrorist.
Policia rreth orës 21:00 ka ndaluar dhe arrestuar vozitësin e kësaj veture. Vetura është drejtuar nga një qytetar serb, i lindur e rritur në Serbi (1968) dhe mban inicialet S.G. Policët kanë gjetur afro 13 kilogram të materies për përpunim për ekskploziv, tha Skënder Hyseni.
Ministri Hyseni tha se tash për tash nuk mund të publikohen detaje të tjera, por sipas tij ky rast do të hetohet deri në fund, me gjithë kompleksitetin që ka.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës, në një komunikatë për media thotë se ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimet se ka planifikuar që materialin shpërthyes ta përdorë për aktivitete terroriste.
Personi në fjalë ka kryer veprën penale përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.