Policia ofron siguri në aktivitetet e nxënëseve
Prishtinë, 20 prill - Njësiti i biçiklistave i Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme është angazhuar në përcjelljen dhe ofrimin e sigurisë të një grupi nxënësish të shkollës Oxford Studio Prishtinë.
Ky grup nxënësish i përbërë nga klasat e pesta dhe të gjashta, në mënyrë të organizuar nga menaxhmenti i shkollës dhe nën përcjelljen e njësitit policor kanë lëvizur me biçikleta nga lagjja Dardani e Prishtinës deri në parkun e Gërmisë, Prishtinë.
Me të arritur në parkun e Gërmisë kanë filluar aktivitetet e përbashkëta me njësitet e biçiklistave të Policisë së Kosovës, të cilët janë në përkujdesje dhe ofrim të sigurisë së tyre gjatë gjithë kohës.
Nxënësit dhe disa nga qytetarët kanë shfrytëzuar edhe mundësin e realizimit të fotove të përbashkëta me njësitin policor gjatë realizimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Policia e Kosovës me këtë dëshmon se është e përkushtuar në ngritjen dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit, në ngritjen e mëtutjeshme të bashkëpunimit me qytetarët si dhe ngritjes së vazhdueshme të besueshmërisë ndaj institucionit policor.