17 Janar 2025

Policia në tri operacione arreston 15 persona

Prishtinë, 28 janar - Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në dy operacione policore të ndara që ka realizuar dje ka arrestuar shtatë persona të dyshuar, me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’, ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’, ‘posedim i paautorizuar i armëve’,  si dhe ka identifikuar dy viktima të trafikimit.

Në operacionin policor të realizuar në rajonin e Mitrovicës dje pas një pune hetimore janë arrestuar katër persona të dyshuar, për të cilët dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’. 

Personat e arrestuar janë: G. A. i lindur me  1988; Sh. K. i  lindur me  1960; Sh. Z. i lindur me  1975 dhe F. I. i lindur me  1976.

Në zbatimin  e këtij rasti është bërë edhe kontrollimi i dy lokaleve (kafeneve)  në  Mitrovicë dhe në F. Kosovë dhe si provë materiale është sekuestruar një sprej.

Lidhur me këtë rast është identifikuar një viktimë e trafikimit e gjinisë femërore/shqiptare/kosovare  dhe e njëjta është duke u trajtuar sipas  procedurave standarde  për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Operacioni tjetër policor është realizuar po dje në rajonin e Prishtinës,  me ç’rast pas hetimeve paraprake janë arrestuar tre  persona të dyshuar, me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale të ‘trafikimit me njerëz’, ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’ dhe ‘posedim i paautorizuar i armëve’.

Personat e arrestuar në këtë operacion janë: B. K. i  lindur me 1993; I.  Z. i  lindur me 1989  dhe F. B. i  lindur me 1987.

Vlen të theksohet se ndaj të dyshuari B. K. ka pasur urdhër arrest të lëshuar nga gjykata për veprat penale ‘vrasje e rëndë’ e mbetur në tentativë dhe veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Edhe në këtë rast është identifikuar një viktimë e trafikimit  femër/shqiptare/Kosovare (e mitur) e cila është duke  u trajtuar sipas procedurave standarde  për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Gjatë këtij operacioni është bërë edhe kontrollimi i banesës së të dyshuarit B. K. dhe në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:  dy armë - revole të llojit 7.65 mm dhe ecol-special 99, me 5 fishekë; 158 municion 12 mm; 100 kapsolla të municionit (fishekëve); një veturë Golf-5; katër telefona dhe një thikë.

Të gjitha veprimet policore janë kryer me autorizimin e prokurorëve përkatës dhe në të dy rastet ndaj 6 personave tanimë të arrestuar është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedurat tjera hetimore, kurse një i dyshuar nga prokurori është liruar të mbrohet në liri.

Po ashtu policia ka arrestuar edhe tetë persona nën dyshimin e bazuar për ‘organizim të skemave piramidale dhe bixhoz’, ‘krim i organizuar’.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas hetimeve intensive të kryera për disa muaj, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi mirë të organizuar, që në vazhdimësi merrej me ‘organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit’, ‘krim i organizuar’, bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, me datën 27 janar 2016 në rajonin e Prishtinës dhe Pejës, (në tetë lokacione), ka ndërmarrë operacion policor, me ç’rast janë arrestuar tetë (8) persona të dyshuar si dhe janë kontrolluar lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme.

Në këtë operacion përveç Policisë të Kosovës kanë marrë pjesë edhe Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar të dyshuarit: B. M. i lindur me 1973; Z. Z. i lindur me 1982; E. M. i lindur me 1987; B. M. i lindur me 1990; R. B. i lindur me 1974; F. B. i lindur me 1984; R. H. i lindur me 1991 dhe E. S. i lindur me 1985.

Ndërsa janë sekuestruar si prova materiale: 2 armë zjarri; 72 aparate të lojërave të fatit; 1 rulet; 15 shtëpiza kompjuteri; 2 aparate për shtypje të tiketave; 13, 105 euro si dhe dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.

Personat e dyshuar, në bazë të urdhrit të prokurorit janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)