Policia me sistem të ri informativ për luftimin e aktiviteteve kriminale
Prishtinë, 19 nëntor - Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe autoritetet e Qeverisë së Kosovës përmbyllën sot projektin Mbështetje në implementimin e projektit të Policisë së Udhëhequr nga Inteligjenca në Kosovë.
Përmes implementimit të këtij projekti, Policia e Kosovës (PK) është më e përgatitur në ndalimin përmes internetit të aktiviteteve kriminale, pasi që qëllimi i projektit është zvogëlimi i krimit përmes krijimit të një sistemi informativ, pro-aktiv të zbulimit duke përdorur metodologjinë e Policisë së Udhëhequr nga Inteligjenca.
Sistemi i ri Informativ i Policisë së Kosovës (SIPK) është një sistem i integruar i informimit që përbëhet nga dy kompontente kryesore: a) Komponenta e Menaxhimit të Operacioneve, dhe b) Komponenta e Menaxhimit të Hetimit dhe Zbulimit. SIPK ofron një mjet funksional dhe hetues që krijon qasje dhe centralizim të informatave nga hetimet kriminale për përdoruesit dhe analistët e informatave.
Shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se SIPK është një mjet i shkëlqyeshëm, i cili siguron që hetimet të kryhen në mënyrë profesionale. "Ky jo vetëm që do të rris cilësinë dhe suksesin e hetimeve penale, por edhe do ti mundësojë Policisë së Kosovës të parandalojë dhe luftojë aktivitetet kriminale, tha Stock.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi tha se "SIPK do të kontribuojë në avancimin e shkëmbimit të informatave mes agjencive të zbatimit të ligjit, si në nivel vendor ashtu edhe në nivel ndërkombëtar dhe do të ndikojë në avancimin e analizimit të të dhënave në përputhje me kërkesat që dalin nga strategjia e policimit të bazuar në intelegjencë".
Rezultatet e arritura gjatë këtij projekti ishin: rritja e disponueshmërisë dhe besueshmërisë së infrastrukturës së TI-së së PK me instalimin dhe konfigurimin e pajisjeve kryesore të TI- së dhe shërbimet e infrastrukturës së TI-së në dy vende në Policinë e Kosovës (në pjesën kryesore dhe në atë të rimëkëmbjes së shkatërrimeve) dhe implementimi i SIPK pas trajnimit të përdoruesve dhe trajnimit të trajnerëve.
Implementimi i këtij projekti ka zgjatur 16 muaj dhe është implementuar nga një konsorcium prej 3 kompanish: Teched Consulting Services Ltd. (Kroaci) si konsorcium lider, bashkë me Botek Llc. (Kosovë) dhe B4B Ltd. (Kroaci).