Policia me kritere favorizuese për kompani të caktuara
Prishtinë, 7 nëntor - Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar njoftimin për kontratë të Policisë së Kosovës, për procedurën e prokurimit Furnizim me jelekë antiplumb dhe me maska.
Kjo është bërë pas ankesës së kompanisë TDT Kosova, e cila është pranuar si e bazuar, shkruan Koha Ditore.
Sipas ankesës, Policia e Kosovës me rastin e zhvillimit të këtij aktiviteti të prokurimit nuk ka respektuar nenet 27, 28 dhe 71 të Ligjit të prokurimit publik.
Zyra për medie e Policisë së Kosovës, gjatë ditës së premte nuk ka dhënë sqarime lidhur me këtë procedurë të prokurimit.
/Koha Ditore/