Policia largon nga rrugët e Prizrenit 90 lypsarë
Prishtinë, 25 prill - Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë njoftuar se në një aksion të realizuar në Prizren, kanë ndaluar afro 90 lëmoshëkërkues, kryesisht shtetas të Shqipërisë.
Me këtë rast janë arrestuar 2 persona, njëri nga të cilët dyshohet për rekrutimin e lëmoshëkërkuesve dhe tjetri për posedim lëndësh narkotike, shkruan sot Koha Ditore.
Dhjetëra lëmoshëkërkues janë dëbuar për në Shqipëri. Rreth 70 persona, në këtë rast lëmoshëkërkues janë dërguar në Gjykatën Themelore, Divizioni i kundërvajtjes, ndërsa 20 të tjerë trajtohen nga Drejtoria për Migrim për shkak se ardhja, lëvizja dhe qëndrimi i tyre dyshohet se i është i paligjshëm.\"
\"Një person që dyshohet se merret me rekrutimin e kësaj kategorie është ndaluar dhe një person tjetër tek i cili janë gjetur lëndë narkotike është arrestuar, ka thënë Vesel Gashi nga Policia rajonale e Prizrenit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në rrugën Rambuillet, të premten, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit është kontrolluar shtëpia, ku gjendeshin 34 persona (15 meshkuj dhe 19 femra), të komunitetit rom, shtetas të Shqipërisë, për të cilët dyshohet se merren me kërkim lëmoshe dhe se të njëjtit janë dërguar në gjykatë.
Edhe në rrugën Jeta e re gjatë kontrollit në një shtëpi janë gjetur 14 persona (8 meshkuj dhe 6 femra), romë, shtetas të Shqipërisë, për të cilët dyshohej se merreshin me kërkimlëmoshe dhe ata me vendim të gjykatës janë dëbuar për në Shqipëri.
Po të njëjtën ditë, në rrugën Ersan Mazreku janë shoqëruar në polici 13 (8 meshkuj dhe 5 femra) romë, shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ata kanë organizuar transportimin, shpërndarjen e lëmoshëkërkuesve në sheshe, rrugë dhe lokale afariste.
Me vendim të Prokurorisë Themelore nga Departamenti i krimeve të rënda atyre u konfiskohen pasaportat përkatësisht letërnjoftimet për të siguruar praninë e tyre në gjykatë më 25 prill 2016, thuhet në njoftimin e PK-së.
Rreshteri Vesel Gashi, ka theksuar se veprimet e tilla policore do të vijojnë edhe në të ardhmen.
Përballja me dukurinë e lëmoshëkërkuesve ishte diskutuar edhe në takimin e fundit të autoriteteve të sundimit të ligjit nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët qenë zotuar për bashkëpunim në këtë drejtim.
Dukuria e lëmoshëkërkuesve është bërë problem edhe në qytete të tjera të Kosovës.
/Koha Ditore/