04 Maj 2024

Policia korrekte ndaj të protestuesve të arrestuar

Prishtinë, 8 shkurt - Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në institucionet e ndalimit dhe respektimin e lirisë së tubimit, në vazhdimësi po monitoron protestat e studentëve të këtyre ditëve para ndërtesës së Rektoratit të UP-së.

Protestat e fundit të datës 07 shkurt 2014 po ashtu janë monitoruar nga afër nga ekipi monitorues i QKRMT-së, nga eskalimi i së cilës janë lënduar një numër i konsiderueshëm i protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Po ashtu, përfundimi i protestës ka rezultuar me një numër prej 33 protestuesish të arrestuar, të cilët më pas janë dërguar nëpër stacione të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Sot, me 08 shkurt 2014, ekipi monitorues i QKRMT-së në përbërje juristë dhe mjek ka vizituar ambientet e dhomave të ndalimit në Stacionet e Policisë në Prishtinë dhe në Lipjan ku po mbahen dhjetë të arrestuar (katër në Prishtinë dhe gjashtë në Lipjan) nga protesta e djeshme, të cilët me vendim të prokurorit mbahen në ndalim me dyshimin për kryerjen e veprës penale sulm ndaj personit zyrtar.

Dy nga të arrestuarit në Stacionin e Policisë në Prishtinë pohuan se gjatë procesit të arrestimit dhe transportimit deri në stacionin e policisë sjelljet e policisë kanë qenë kryesisht korrekte.

Por njëri nga prej tyre u ankua për sjellje të dhunshme dhe keqtrajtim fizik të të arrestuarve nga ana e pjesëtarëve të policisë dhe masën e madhe të gazit që policía kishte zbrazur në drejtim të tij.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit brenda stacioneve të policisë asnjëri prej të arrestuarve nuk pati ndonjë vërejtje në sjelljen e zyrtarëve të policisë.

Ndërsa, katër prej të arrestuarve të intervistuar (dy në Prishtinë dhe dy në Lipjan) pohuan se pjesëtarët e policisë gjatë prangimit apo arrestimit kanë demonstruar sjellje të ashpra dhe dhunë të panevojshme.

Njëri prej të arrestuarve kishte gërvishtje të dukshme, por të lehta mbi vetullën e majtë dhe në gjurin e këmbës së majtë. Këto lëndime theksoi se i janë shkaktuar si pasojë e goditjeve me shqelma nga tre pjesëtarë të policisë derisa një tjetër po i vinte prangat në duar.

Ndërsa i arrestuari tjetër ankohej për dhimbje dhe kishte një ënjtje të lehtë në regjionin e përparmë të kofshës së majtë nga goditjet me shqelma të pjesëtarëve  të policisë pas arrestimit të tij.

Ai e përshkroi momentin e arrestimit si shumë të dhunshëm me ç’rast katër policë e kanë kapur dhe përplasur për shkallë të hyrjes kryesore të rektoratit. Pas kësaj e kanë futur brenda ndërtesës ku rreth 4-5 policë e kanë goditur me shqelma në këmbë dhe shpinë.

Dy nga gjashtë të arrestuarit të vendosur në Stacionin e Policisë në Lipjan pohuan se pas momentit të arrestimit dhe futjes së tyre në hapësirat e Rektoratit janë goditur me shqelma nga pjesëtarët e policisë. Megjithatë, monitoruesit e QKRMT nuk kanë vërejtur shenja të dukshme dhune apo lëndimi tek ta.

Të gjithë të arrestuarve u ishte ofruar mundësia për qasje në mjek, avokat apo njoftimi i të afërmve për vendndodhjen e tyre, të njohura si garanci ligjore kundër keqtrajtimit dhe respektimit të të drejtave njeriut gjatë qëndrimit në stacionin policor.

QKRMT ka pranuar ankesa nga të gjithë të arrestuarit për mundimet si, djegie dhe kruajtje të syve apo fytyrës si pasojë e gazit të djegës të përdorur nga policia gjatë protestës së djeshme për të shpërndarë turmën e protestuesve. Edhe anëtarët e ekipit monitorues kanë vërejtur erë të rëndë të këtij gazi derisa ishin në afërsi të të arrestuarve gjatë intervistimit të tyre brenda stacioneve të policisë, e cila iu kishte mbetur nga dita e djeshme.

QKRMT dëshiron të shpreh shqetësimin për eskalimin e situatës nga protesta e djeshme para ndërtesës së Rektoratit të UP-së nga e cila një numër i madh i protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë pësuar lëndime.

QKRMT vlerëson se provokimi dhe inicimi apo përdorimi i dhunës ose forcës nga cilado palë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Më tej, QKRMT vëren se përdorimi i tepërt apo i panevojshëm i dhunës për të arrestuar apo vënë nën kontroll protestuesi, veçmas përdorimi i dhunës ndaj të arrestuarve kur janë në duar (kontrollë) të policisë është po ashtu i papranueshëm, në kundërshtim me kodin e sjelljes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, dhe si i tillë i ndëshkueshëm me dispozitat ligjore të aplikueshme në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)