Policia konfiskon mbi 8 kg marihuanë dhe arreston një person
Prishtinë, 27 tetor - Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Trafikim me Narkotikë, pas një hetimi ka realizuar një plan taktik, me urdhër të gjykatës, duke bërë bastisjen e një banese në lagjen Dardania, nën dyshimin e bazuar se në atë lokacion mund të ketë sasi të narkotikëve.
Pas bastisjes së banesës është gjetur sasi e narkotikëve, të cilat kanë qenë të mbështjella në 7 paketime të formave dhe madhësive të ndryshme, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Me këtë rast është bërë arrestimi i të dyshuarit: A. M. lindur me 1993.
I dyshuari i arrestuar akuzohet për veprën penale blerje , posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge, Neni 273.
Sipas informatave të pranuara dyshohet se i dyshuari ka pasur qëllim shpërndarjen e narkotikëve në sasi më të vogla tek përdorues të ndryshëm.
Vlera e narkotikëve pas matjes me peshore ka rezultuar të jetë me peshë të përgjithshme 8 kilogramë e 82 gramë.
Gjithashtu lidhur me këtë rast janë konfiskuar edhe një thikë dhe tre telefona mobilë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet në qendrën e mbajtjes.