29 Prill 2024

Policia konfiskon 258 kg drogë, arreston 7 persona

Prishtinë 13 korrik - Në kuadër të realizimit të objektivave që dalin nga Strategjia Kombëtare Kundër Drogave në Kosovë, Policia e Kosovës është duke i përmbushur detyrat e saj, konform planit të veprimit në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me substanca narkotike në vend.
 
Këtij operacioni policor i parapriu një punë hetimore dhe operative nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së) e Policisë së Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar, me ç’ rast u arrestuan shtatë të dyshuar dhe u konfiskuan rreth 258 (dyqind e pesëdhjetë e tetë)  kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
 
Substanca narkotike ishte e ngarkuar në gomat e një ekskavatori i cili ishte duke u transportuar me një kamion transportues, i cili është ndaluar në terminalin Merdare (pika kufitare Kosovë/Serbi) të cilin e drejtonte i dyshuari I. J. lindur më 31.10.1988 shtetas i Serbisë.
 
I tërë operacioni policor për arrestimin e të dyshuarve dhe konfiskimin e substancave narkotike është përkrahur nga të gjitha njësitë rajonale të DHTN-se të mbështetura nga njësitë policore si: K9, NJSO, Njësia e Krim-teknikës etj.
 
Të gjitha veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës kanë  qenë të autorizuara nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë.
 
Realizimi i operacionit policor ka vazhduar  në disa lokacione në rajonin e Pejës dhe Prishtinës ku janë arrestuar katër të  dyshuar të përfshirë  në rast.
 
Gjatë këtij operacioni policor në total deri tani janë arrestuar shtatë të dyshuar:
 
1.    F. D.  lindur më  1981 Pejë
2.    F. L.   lindur më 1969 Pejë
3.    R. U.   lindur më 1975 Pejë
4.    Sh. G.   lindur më 1969 Pejë
5.    I. M.    lindur më 1988 Serbi
6.    M. T.  lindur më 1982  Serbi
7.    R. T.    lindur më 1954 Serbi
Gjithashtu gjatë këtij operacioni janë konfiskuar:
 
Rreth 257 kilogramë e 917 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë;
Shtatë  armë të llojeve të ndryshme
187 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Një kamion
Tri vetura
Një ekskavator
Tre mijë euro para të gatshme
 
Vlera e substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë parallogaritet të jetë rreth 180.000 euro ( njëqind e tetëdhjetë mijë euro )
 
Personave të arrestuar  me autorizim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
 
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa të dyshuarve të tjerë tashmë të njohur për policinë që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal.