Policia konfiskon 13 kg substancë narkotike dhe arreston 3 persona
Prishtinë, 12 maj - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) me njësitet e saja relevante, sot ka realizuar një operacion policor në dy lokacione të ndara, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e mbi 13 kilogramë substancë narkotike si dhe me arrestimin e 3 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Pas një hetimi të realizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë dhe në asistencë të NJRSH-Prishtinë, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë bastisur dy lokacione në Prishtinë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe janë konfiskuar gjithsej 4054.8 gramë (4 kg e 54.8 gr.), 4 telefona dhe 113.30 euro, të cilat dëshmi janë fotografuar dhe janë evidentuar nga Krimteknika.
Me këtë rast është bërë arrestimi i tre personave të dyshuar të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: S. S. i lindur me 1973; B. H. i lindur me 2001; O. S. i lindur me 1999.
Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes.
DHTN-ja, pas marrjes së informatave se një person merrej me shitblerje të narkotikëve, me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë, kanë bërë kontrollimin e një shtëpie në Prishtinë, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 11 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 9374.1 gramë (9kg e 374.1 gr.).
Identiteti i personit të dyshuar është i njohur për Policinë dhe njësitë relevante policore janë në kërkim dhe hetim të mëtutjeshëm të rastit.