Policia konfiskoi 44 kilogramë Marihuan
Prishtinë 16 nëntor - Polica e Kosovës ka njoftuar se e mbështetur në strategjitë që dalin për luftimin e krimit të organizuar dhe realizimit të objektivave të saj, me sukses të vazhdueshëm është duke u treguar efikase dhe ketë e dëshmon me rezultatet e punës se saj.
Si rezultat mbrëmë rreth orës 21:00, hetues nga Drejtoria e Hetimit të trafikimit me narkotik kanë bërë arrestimin e të dyshuarit nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale trafikim me substanca narkotike.
Hetuesit policor të mbështetur nga policia rajonale e Gjilanit, në rajonin Gjilanit gjatë një pike kontrolli kanë ndaluar veturën BMW me targa të Republikës së Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull shqiptar shtetas i Serbisë.
Gjatë kontrollit në bagazhin e veturës janë gjetur 3 çanta sportive në brendësin e të cilave janë gjetur 42 paketime të dyshuara narkotike të llojit marihuan në peshë rreth 44 kg.
Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes, i është konfiskuar vetura dhe janë konfiskuar substancat narkotike.
Të gjitha këto veprime kanë qenë të koordinuar me prokurorinë themelore për krime të rënda të Gjilanit dhe të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.