Policia ka shtuar aktivitetet e veta në pikëkalimet kufitare me Serbinë
Prishtinë, 11 prill - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Policia Kufitare e Republikës së Kosovës ka shtuar aktivitetet e veta në zonën e përgjegjësisë dhe që nga data 31 Mars ka ngritur vigjilencën dhe mbikëqyrjen e kontrollit kufitar duke përfshirë këtu pikëkalimet kufitare dhe vijën e gjelbër me Republikën e Serbisë.
Përveç kësaj sipas policisë është shtuar numri i stafit mbikëqyrës me togerë dhe rreshterë policorë, e po ashtu është shtuar një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve policorë në ekipet patrulluese që veprojnë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Veriut, e që ky numër arrin mbi treqind zyrtarë policorë në tërësi.
Pikëkalimet kufitare dhe vija e gjelbër në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Veriut mbulohen 24 orë duke përfshirë pika vëzhguese, vrojtuese dhe patrullimet në këmbë e me vetura si dhe patrullimet e përbashkëta me KFOR-in, të cilat tani po ashtu janë shtuar.
Një kujdes i veçantë nga Policia Kufitare e PK-së i është dhënë kontaktit me banorë të kësaj zone kufitare, në mënyrë që ata të ndjehen sa më të sigurt. Bazuar në kontaktet me qytetarë deri tani nuk është pranuar ndonjë ankesë e drejtpërdrejtë nga ana e tyre që ndërlidhet me aspektin e sigurisë.
Policia e Kosovës siguron opinionin publik dhe qytetarët se përkundër incidentit të raportuar ditë më herët në afërsi të kufirit me Republikën e Serbisë, njësitet patrulluese të Policisë Kufitare të PK-së në asnjë moment nuk janë zmbrapsur dhe nuk do të zmbrapsen nga realizimi i detyrave dhe obligimeve ligjore që kanë.
Patrullimet policore zhvillohen sikurse edhe më parë në rrugët e njëjta patrulluese në kuadër të zonës së përgjegjësisë, por tani me një numër më të shtuar të zyrtarëve policorë, të pajisjeve të nevojshme policore dhe atyre logjistike.