23 Dhjetor 2024

Policia ka iniciuar procedurën hetimore ndaj protestuesve

Prishtinë,13 maj - Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka bërë të ditur se në konsultim me prokurorinë ka iniciuar procedurën hetimore për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtim prone dhe është e angazhuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve të përshirë në protestën e djeshme kundër vizitës së kryenegociatorit serb, Borislav Stefanovic.

Në komunikatë theksohet se gjatë protestave para Pallatit të Rilindjes ku janë të vendosura disa ministri dhe para ndërtesës së Qeverisë nga protestuesit janë përdorë mjete të forta me ç’ rast në masë të konsiderueshme është shkaktuar dëmtim i pasurisë publike.

Si pasojë e këtyre veprimeve 15 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore prej tyre tre janë lënduar rëndë (lëndime trupore si fraktura, plagë të hapura, ndrydhje etj) dhe janë nën kujdesin mjekësor.

Në anën tjetër, sipas QKUK-së, gjashtë persona nga radhët e protestuesve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia për të parandaluar veprimet e tilla dhe pasojat nga këto veprime është dashur të përdorë gazin lotsjellës dhe ndërkohë ka arrestuar dy protestues, të cilët pas konsultimit me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

Sipas komunikatës, si pasojë e gjuajtjes me gurë dhe mjete të tjera të forta janë dëmtuar 18 vetura, është thyer një numër i xhamave të ndërtesës së Qeverisë, si dhe janë dëmtuar edhe disa pajisje policore (helmeta, mburoja, etj).

“Policia e Kosovës në konsultim me prokurorinë ka iniciuar procedurën hetimore për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtim prone dhe është e angazhuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve të përshirë në këtë rast.

Deri tani nuk ka ndonjë indikacion të tejkalimit të autorizimeve policore nga reagimi i djeshëm policor në mbrojtje të jetës dhe të pronës së qytetarëve, sidoqoftë, Policia e Kosovës është duke shqyrtuar të gjitha raportet policore rreth përdorimit të forcës së domosdoshme dhe proporcionale.

Policia e Kosovës çdoherë respekton të drejtën e garantuar për protestë, por nuk do të tolerojë veprimet e dhunshme ku rrezikohet jeta e qytetarëve, e zyrtarëve policorë ose dëmtohet prona private apo publike”, thuhet në komunikatë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)