Policia ka bërë të gjitha përgatitjet për protesten e Vetëvendosjes
Prishtinë, 27 qershor - Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paparalajmëruar të realizuar nga subjekti politik Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ.
Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ sipas policisë është: Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas demonstratës.
Ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet.
Parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike etj.
Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit po ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së qasjes së lirë në institucionet e Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Si pasojë e pengesave të krijuara nga ana e protestuesve ndaj disa deputetëve, dhe veprimeve të dhunshme ndaj zyrtarëve policorë, duke hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë ndaj zyrtarëve policorë dhe si pasojë e tentimit të dëmtimit të rrethojave me qëllim të futjes në objektin e Parlamentit të Kosovës, njësitet policore janë detyruar të reagojnë për tu mundësuar hyrjen deputetëve në Parlamentin e Kosovës.
Gjatë intervenimit policor deri tani janë shoqëruar për në stacionet policore tridhjetë (30) protestues dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme nga ana e protestuesve janë lënduar tre (3) zyrtarë policorë.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që tu shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve si dhe të ndalin dhunën ndaj zyrtarëve policorë.