Policia ka bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e protestës
Prishtinë, 17 prill - Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e cila pritet të mbahet nesër në orën 14:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar se me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhrin operativ për mbarëvajtjen e protestës.
Si pjesë e planit operativ, janë bërë planifikimet për ri-orientimin e trafikut në rrugë alternative përgjatë kohës sa protestuesit shfrytëzojnë kalimin e tyre në rrugë, ku për këtë Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim dhe apelon tek qytetarët që të shmangin vozitjen gjatë kohës së protestës në akset rrugore ku zhvillohet protesta, si në vijim:
Rruga Garibaldi;
Rruga Gjorgj Bush;
Rruga Luan Haradinaj;
Rruga Robert Doll;
Rruga Kosta Novakoviq;
Rruga Bill Klinton;
Rruga Eqrem Çabej;
Rruga Agim Ramadani;
Rruga Xhemajl Prishtina;
Rruga Ilaz Agushi;
Rruga Ilir Konushevci.
Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është:
*Siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit.
*Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës.
*Ndërmarrja e masave të nevojshme operative policore, për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident dhe të mundësohet shprehja e lirë e qytetarëve gjatë protestës.
*Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet, që në çfarëdo mase do të rrezikonte rendin dhe qetësinë publike para, gjatë dhe pas protestës.
Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi.
Zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj proteste është prioritet i planit të Policisë së Kosovës. Njëherësh ftojmë qytetarët që të shmangen nga çfarëdo forme e dhunës dhe sjelljeve të kundërligjshme, për ti kontribuar stabilitetit, rendit dhe qetësisë si dhe mbarëvajtjes së protestës në përgjithësi.
Policia e Kosovës beson në kulturën e lartë të qytetarëve dhe shpreson se protesta do të kalojë e qetë pa incidente.