Policia ka arrestuar katër të dyshuar për krim të organizuar
Prishtinë, 6 janar - Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas hetimeve disa mujore, ka realizuar operacionin policor të koduar Rrjeta me çrast ka bërë arrestimin e katër personave të dyshuar se kanë kryer veprat penale: krim i organizuar - kontrabandim me migrantë falsifikim i dokumenteve.
Bazuar në hetimet policore ky grup personash tashmë të arrestuar merreshin me veprimtari kriminale si grup i organizuar dhe strukturuar mirë duke bërë falsifikim të dokumenteve të udhëtimit me qëllim kontrabandimin e njerëzve në vendet evropiane.
Kështu më 05 dhe 06.02.2013 hetuesit policorë pas një plani të menduar mirë dhe informatave të grumbulluara rreth këtij grupi kanë arrestuar katër të dyshuar: S. M. - 1982; D. S. - 1992; H. M. - 1968 dhe A. K. - 1982.
Pas arrestimit të personave të dyshuar operacioni sipas policise nuk ka mbaruar me kaq ku me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë edhe kontrollimi i shtëpive të të dyshuarve dhe lokaleve përcjellëse me ç rast janë konfiskuar pajisje dhe dokumente në cilësi të prova materiale.
Policia ka gjetur 2 pasaporta të falsifikuara (1 e Finlandës dhe 1 e Serbisë); 1 Patentë shofer i Serbisë; 4 vula me mbishkrime të shteteve të ndryshme (1 Zvicerane, 3 Gjermane); 3 vula me mbishkrime të Bankave (2 Pro Credit dhe 1 NLB); 26 kopje viza gjermane; 21 kopje faqe pasaporte Gjermane; 2 kopje Pasaportë me kontrata pune; 10 ID - kartela identifikuese të falsifikuara ( 1 Zvicerane dhe 2 Italiane); 11 Certifikata të lindjes të personave të ndryshëm dhe fotokopje të dokumenteve për persona të ndryshëm; 8 USB; 8 telefona celular; 3 LAP TOP-a; 1 Printer me ngjyra ( i cili dyshohet se është përdorur për falsifikim); 44 faqe hyrje dalje- Pasqyra bankare të bankave (Pro Credit, NLB, Raiffaisen dhe Banka Ekonomike) dhe 1 kopje e valutës 100 euro- kolor.
Ky grup në mënyrë shumë të organizuar dyshohet se kanë kryer veprat penale kontrabandim të migrantëve, falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit krim i organizuar për persona të ndryshëm të cilët organizonin kontrabandimin e personave për në shtetet evropiane.
Për këto shërbime ky rrjet përfitonte shuma të mëdha të parave.
Personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit policor për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.