16 Janar 2025

Policia jep detaje lidhur me mos lejimin e trenit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 15 janar - Në një konferencë për media, Policia e Kosovës ka dhënë informacione për veprimet e policisë që janë realizuar në pikëkalimin kufitarë në Jarinë të Mitrovicës.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, ka thënë se me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe të ofrimit të sigurisë së përgjithshme, policia ka zhvilluar operacionin policor, i cili ka rezultuar me sukses.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe profesionalisht e përgatitur për të ruajtur sigurinë e vendit.

“Në rrafshin bashkëpunues të institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, ne kemi bashkëpunim edhe me EULEX-in edhe me KFOR-in, por ata janë të renditur në aspektin strategjik të veprimeve si reagues të dytë dhe tretë. Ne jemi përgjegjës për sigurinë e qytetarëve tanë, ne jemi përgjegjës për territorin e Kosovës dhe operacioni i së shtunës ekskluzivisht është zhvilluar nga Policia e Kosovës”, ka bërë të ditur Rexha.

Referuar situatës së krijuar rreth qarkullimit të trenit nga Beogradi për në veri të Mitrovicës, Rexha ka theksuar se ka pasur deklarime të ndryshme, duke përfshirë edhe video incizime se është vendosur mjet shpërthyes në hekurudhë, ku më pas, siç ka theksuar ai, janë marrë masat e nevojshme të kontrollit.

“Demantojmë fuqishëm që në asnjë variant, se kinse qytetaret e Kosovës ose zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë ndërmarrë ndonjë veprim që ka të bëjë me përgatitjen për ndonjë dëmtim, siç është paraqitur në mediumet serbe. Kjo është e pavërtetë, nuk qëndron, përkundrazi ne kemi zhvilluar një operacion mjaft kompleks të kontrollimit të tërë hekurudhës me një gjatësi prej 50 kilometrash, dhe nuk është hasur asgjë e dyshimtë”, ka shpjeguar Rexha.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)