14 Maj 2024

Policia e Shqipërisë dhe e Kosovës thellojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 22 qershor - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,Shpend Maxhuni, nënshkruan sot një “Memorandum bashkëpunimi”, i cili ka si qëllim organizimin e shërbimeve të përbashkëta të Policisë Rrugore të të dy vendeve në akset kryesore të vendit në kuadër të sezonit turistik veror.

Gjatë nënshkrimit, Burgaj, vuri në dukje rëndësinë e këtij memorandumi, duke e cilësuar atë si një dokument shumë të rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet policive të të dy vendeve lidhur me sigurinë rrugore.

“Policia e Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke filluar që sot implementojnë këtë shërbim për lëvizjen e lirë të qytetarëve, marrjen e masave në pikat e kontroll kalimit kufitar për t`i siguruar lehtësirat e nevojshme qytetarëve tanë të dy vendeve.\"

\"Vetëm për vitin e kaluar, në tre muajt qershor korrik gusht, në pikën e Morinës që lidhet me Kosovën kanë hyrë rreth 1 milion qytetarë për arsye turistike në vendin tonë.

\"Sigurisht që ne do ti përgjigjemi këtij fluksi të madh qytetarësh me shërbimin e shpejtë në kohën e duhur dhe të kulturuar. Jam i sigurt që kemi gjetur dhe do gjejmë të njëjtën gjuhë bashkëpunimi dhe nga kolegu im z. Maxhuni.” - u shpreh Burgaj.

Ndërkohë edhe Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, e cilësoi shumë të rëndësishme arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit për menaxhimin e qarkullimit rrugor gjatë sezonit veror.

“Kjo është një praktikë që me siguri do të jetë tradicionale, ku policitë e dy vendeve në aspektin operacional do të bashkëveprojnë së bashku në akset rrugore, kryesisht në territorin e shtetit shqiptar, gjatë periudhës verore, ku pritet që një fluks i madh i shtetasve kosovarë të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar.\"

\"Praktikat e dy viteve të kaluara kanë nxjerrë një përfundim që një modalitet i tillë rrit nivelin e sigurisë në qarkullimin rrugor dhe në anën tjetër ndihmon qytetarët kosovarë, që në komunikim të drejtpërdrejtë me Policinë e Kosovës të trajtojnë çështje që lidhen me sigurinë rrugore në akset rrugore të shtetit shqiptar” – theksoi Maxhuni.

Po ashtu Maxhuni falenderoi Drejtorin Burgaj për urdhrin e lëshuar për efektivët e tij që gjatë kësaj kohe pra gjatë sezonit veror të mos ndalohen veturat me targat e Kosovës veç në rrethana të detyrueshme. Kjo u mundëson qytetarëve kosovarë të qarkullojnë lirshëm në të gjitha akset rrugore të territorit shqiptar u shpreh Maxhuni.

Në përfundim të takimit, Burgaj dhe Maxhuni shprehën bindjen se niveli shumë i mirë i bashkëpunimit policor mes dy vendeve dhe ky memorandum bashkëpunimi do i shërbejnë më së miri interesave të qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)