Policia e Kosovës shkatërroi edhe 2246 armë të vogla dhe të lehta
Ky aktivitet është i realizuar në kuadër të Strategjisë të Kosovës për Kontrollin e Armëve dhe Planit të Veprimit, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe është mbështetur nga UNDP projekti për Kontrollin e Armëve të Vogla në Kosovë (KOSSAC).
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, tha se ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës. Ai tha se ky është aktiviteti i dytë për këtë vit për shkatërrimin e armëve të cilat kanë qenë të përdorura për veprime të paligjshme.
Duke llogaritur edhe armët që janë shkatërruar herën e kaluar pra kemi 3146 armë të shkatërrua. Shkatërrimi i një numri kaq të madh të armëve e renditë Kosovën në vendin e parë prej vendeve të rajonit për nga numri i armëve të shkatërruara, tha Hoti.
Ndërsa përfaqësuesi i UDNP-së, Richard Lundgren, theksoi se UDNP për të dytën herë është duke ndihmuar Policinë e Kosovës në shkatërrimin e armëve ilegale. Ai tha se shumë armë që po shkatërrohen sot janë konfiskuar nga aktivitete ilegale dhe shkatërrimi i tyre do të thotë se këto armë nuk do të kenë potencial për të vrarë apo lënduar dikë.
Ndërsa zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, theksoi se Policia e Kosovës ka treguar motivim të madh që nga fillimi i procesit, deri në momentin që sot po shkatërrojmë këto armë dhe këto aktivitete do të shpeshtohen.
Qëllimi jonë është të arrijmë objektivat për një shoqëri pa armë ilegale, si parakusht i një shoqërie demokratike, ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe ku njerëzit nuk e kanë frikën e armës. Kjo tregon agresivitetin tonë kundrejt të keqes që armët ilegale i sjellin shoqërisë, tha Rexha.
Shkatërrimi i armëve të paligjshme, si dhe atyre tepricë paraqet element të rëndësishëm të programit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta. Kjo është një metodë efektive për zvogëlimin e numrit të armëve në tregun e jashtëligjshëm, si dhe furnizimin potencial të tij.