Policia e Kosovës shkatërroi 1315 armë të vogla dhe të lehta
Prishtinë, 10 tetor - Policia e Kosovës ka shkatërruar mbi 1315 armë të vogla dhe të lehta, në Fabrikën e metalit Shkritorja në Janjevë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se shkatërrimi publik i armëve tregon një ndër rezultatet e zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kombëtar për Kontrollimin dhe Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta.
Kjo dëshmon edhe gatishmërinë tonë që edhe më tutje të ballafaqohemi me sfidat që paraqesin armët e vogla dhe armët e lehta në Kosovë, tha ministri Rexhepi.
Në këtë rast ai falënderoi Qeverinë gjermane për përkrahjen e dhënë në këto aktiviteteve, si dhe Programin Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara për kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer e vlerësoi pozitivisht projektin për Kontrollin e Armëve të Vogla në Kosovë, duke pohuar se ky projekt kontribuon në shërimin e plagëve të shoqërisë të shkaktuara gjatë kohës së luftës.
Ndërsa përfaqësuesi i UNDP-së, Chris Decker tha se ngjarja e sotme është rezultat i dukshëm i përkrahjes pesëvjeçare që jep UNDP për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës në fushën e Armëve të Vogla dhe të Lehta.
UNDP është e përkushtuar që edhe më tutje të vazhdojë ti asistojë akterëve kosovarë, në veçanti MPB-së në luftën kundër armëve ilegale dhe gjithashtu në zvogëlimin e dhunës, tha Decker.
Zëvendës-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se PK do të mbetet e përkushtuar në ngritjen e sigurisë publike, duke bërë edhe konfiskimin e armëve, të cilat në mënyrë të paligjshme gjenden në duart e qytetarëve. Armët të cilat do të shkatërrohen janë armë të konfiskuara nga Policia e Kosovës gjatë hetimeve të llojeve të ndryshme të krimit, tha ai.
Shkatërrimi i armëve u zhvillua në kuadër të Strategjisë së Kosovës për Kontrollin e Armëve dhe planit të veprimit të zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) projekti për Kontrollin e Armëve të Vogla në Kosovë (KOSSAC).
Kjo Strategji synon përmirësimin e sigurisë në bashkësi, duke implementuar aktivitetet e AVL-ve në përputhje me standardet e UN-it, OSBE-së dhe BE-së dhe shkatërrimin e armëve të paligjshme dhe të tepërta në Kosovë.
Ky projekt financohet bazuar në një marrëveshje me Zyrën e Jashtme Gjermane.