Policia e Kosovës realizon me sukses operacionin Transiti
Prishtinë, 26 nëntor - Në operacionin policor te koduar Transiti që u zhvillua dje në lokacione të ndryshme në rajonin e Pejës, u arrestuan dy persona të dyshuar për krim të organizuar, posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike
Në kuadër të realizimit të objektivave që dalin nga Strategjia Kombëtare Kundër Drogave, Policia e Kosovës është duke përmbushur detyrat e saja, konform planit të veprimit në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me substanca narkotike në Kosovë.
Këtij operacioni policor i parapriu një punë hetimore dhe operative rreth një muaj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN-së).
Operacioni u realizua në përkrahje të Njësive speciale operative (NJSO) dhe K9, me ç`rast janë realizuar 2 bastisje në komunën e Gjakovës, ku janë arrestuar dy të dyshuar dhe janë konfiskuar mbi 35 kilogramë substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.
Gjatë këtij operacioni policor në total deri tani janë arrestuar dy të dyshuar: K. R. - i lindur më 1982 dhe N. K. - i lindur më 1985
Policia po ashtu ka konfiskuar 35 kg e 30 gram substancë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë, një pushkë gjysmë automatike, 24 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një radiolidhje Motorola dhe një makinë me vakum për presimin dhe paketimin e substancave narkotike.
Bazuar në procesin e hetimeve dyshohet se droga ka prejardhjen nga Republika e Shqipërisë e cila për destinim kishte Kroacinë.
Personave të arrestuar në konsultim me prokurorin kompetent u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Policia e Kosovës është në kërkim edhe të disa të dyshuarve të tjerë tashmë të njohur për policinë që dyshohet se kanë qenë pjesë e këtij grupi kriminal.