Policia e Kosovës patrullime të përbashkëta me policinë e Shqipërisë
Prishtinë, 25 qershor - Bazuar në marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara mes autoriteteve policore të Kosovës dhe Shqipërisë, edhe këtë vit Policia e Kosovës do ti ofroj mbështetje policisë së Shqipërisë në sigurinë e komunikacionit rrugor.
Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë z. Hysni Burgaj.
Marrëveshja në fjalë do të realizohet përmes patrullimeve të përbashkëta nga zyrtarët policor të Republikës së Kosovës dhe policisë së Republikës së Shqipërisë, në territorin shqiptar gjatë sezonit turistik veror.
Kjo marrëveshje ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit mes dy agjencive policore, në përpjekje për ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, parandalimin e aksidenteve dhe kundërvajtjeve në komunikacion dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve në aksidente rrugore, si dhe zbatimin me rigorozitet të komunikacionit rrugor.
Duke ditur se gjatë sezonit veror numri i qytetarëve të Kosovës që vizitojnë shtetin shqiptar është shumë i madh policia e Kosovës apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm në komunikacion dhe të vozisin konform rregullave të komunikacionit rrugor, bazuar në ligjet e komunikacionit rrugor, dhe të jenë faktor kontribuues për sigurinë në komunikacion.