Policia e Kosovës merr urdhër për të arrestuar gjatë namazit
Prishtinë, 29 qershor - Lëvizja Bashkohu përmes një deklarate me shkrim thotë se, gjatë protestës së kaluar të mbajtur më 24 Qershor 2011 për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, Policia e Kosovës (PK) provokoi dhe sulmoi xhematin gjatë faljes së namazit të xhumasë.
Kjo lëvizje thotë se, me gjithë paralajmërimin dhe mbarëvajtjen e qetë të protestës, Policia pa as më të voglën arsye merr urdhër (përmes radiolidhjes) për arrestimin e sa më shumë personave që të jetë e mundur.
Madje çështë më skandalozja, duke mos mundur ta zbatojnë urdhrin për shkak të shpërndarjes së shpejtë e të qetë të xhematit pas namazit, Policia merr guximin të dhurojë spektakël dhe të tregojë autoritetin që i ka humbur kahmoti duke e arrestuar një person të vetëm që ishte ulur të pushojë nën hije, vetëm e vetëm për ta dërguar urdhrin në vend, thuhet në njoftim.
Sipas Lëvizjes Bashkohu, të gjitha këto nuk janë vetëm fjalë koti, por se ekzistojnë edhe edhe linqet e filmimeve (videove) ku mund të shihet spektakli, sjellja skandaloze e Policisë si dhe marrja e urdhrit për të kryer arrestime për spektakël.
Me gjithë mohimin e të drejtës për të protestuar lirshëm nga ana e Policisë dhe ministrit Bajram Rexhepi, lëvizja thotë se, kërkesat e tyre më se humane do të vazhdojnë edhe më tutje.
Fuad Ramiqi po kërkon nga kryeministri Hashim Thaçi që ta mbajë një premtim të dhënë gjatë fushatës: ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë.
Përfaqësuesi i një lëvizjes Bashkohu, e cila ka marrë përsipër organizimin e protestave për ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës, ka thënë të martën se kryeministri i vendit e kishte dhënë këtë premtim.
Ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar që të premten do të bllokohet sërish rruga në udhëkryqin tek Xhamia e Çarshinë në shenjë proteste për mosndarjen e një trualli në qendër që për protestuesit do të ishte para Fakultetit të Filologjisë. Ai ka thënë se nuk ka kërkuar leje nga Policia për bllokimin e rrugës, por vetëm do ti njoftojnë për këtë bllokim që pritet të ndodhë për herë të tretë këtë muaj.
Protestat e shoqatës Bashkohuni për mos dhënien e lejës për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cilëson si tendencë për politizimin e kësaj çështjeje.
Sipas KMDLNJ, politizimi i fesë në emër të realizimit të lirisë së religjionit është tendencë e rrezikshme dhe e papranueshme, ndërsa vlerëson se vërehet lehtë që përfaqësues të shoqatës që po preteston janë duke e sfiduar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe po promovohen politikisht.